Zyra Lëvizëse ADISA
Zyra Lëvizëse ADISA
Prej muajit Tetor 2019 qytetarët e zonave të thella dhe larg zyrave shtetërore do të mund të përfitojnë nga shërbimet që do të ofrojë Zyra Lëvizëse ADISA.
“Zyra Lëvizëse ADISA” vjen si një risi, e para në llojin e vetë, duke ofruar mbi 200 shërbime të qeverisë qendrore të lidhura me pasuritë e paluajtshme, sigurimet shoqërore, punësimin dhe bujqësinë e ofruar nga: Agjencia Shtetërore e Kadastrës ASHK, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ISSH, Shërbimi Kombëtar i Punësimit SHKP dhe Enti Shtetëror i Farërave dhe Fidanëve ESHFF.
Për më tepër, përmes Zyrës Lëvizëse ADISA, qytetarët do të mund të sigurojnë informacion për mbi 960 shërbime publike bazuar në Kartelat Informative të standardizuara. Gjithashtu, do të ofrohet asistencë për aplikimet në lidhje me Kartën e Shëndetit dhe shërbimeve online që mund të ofrohen në kohë reale nga portali unik qeveritar e-albania.
ADISA vijon me ritme intensive shtrirjen në territor, duke qenë më pranë qytetarëve dhe duke ofruar shërbime publike më kushte bashkëkohore me standarde europiane. Aktualisht ADISA është i vetmi institucion në Republikën e Shqipërisë që ka realizuar këtë mënyrë ofrimi për shërbimet publike edhe në zonat e thella. Tashmë nuk vjen më qytetari tek ADISA por shkon ADISA te qytetari.
Me mbështetjen e vazhdueshme të Projektit Mbështetës ISDA, Kooperacionit Italian, Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe UNDP, u bë i mundur realizimi i Zyrës Lëvizëse ADISA duke lehtësuar edhe më tepër jetën e qytetarëve.